Nuk ka rëndësi se sa në formë jeni apo në çfarë moshe ndodh, por një dëmtim i shtyllës kurrizore mund të ndryshojë jetën për të mbijetuarit që përballen me një rrezik më të lartë se të tjerët, nga një “numër” problemesh shëndetësore potencialisht fatale më vonë.
I botuar në JAMA Network Open, një revistë e Shoqatës Mjekësore Amerikane, studimi tregoi se pacientët me dëmtim traumatik të palcës kurrizore (TSCI), paraqiten te mjekët vite më vonë me gjendje në dukje të palidhura, por ndonjëherë vdekjeprurëse, të tilla si diabeti, goditja në tru dhe hipertensioni, si dhe shqetësime më të parashikueshme si depresioni.
“INFK ishte e lidhur me rritjen e rrezikut afatgjatë të morbiditetit shumësistemor dhe vdekshmërisë së lartë — madje edhe tek pacientët që më parë ishin të shëndetshëm”, sipas studiuesve në Mass General Brigham, një kombinim i Spitalit të Përgjithshëm të Massachusetts dhe Spitalit Brigham and Women’s në SHBA.
Problemet e menjëhershme që lidhen me TSCI-në, të tilla si vështirësia në frymëmarrje, luhatjet e presionit të gjakut dhe rrahjet e zemrës, janë studiuar prej kohësh, sipas studiuesve.
Ata shpjeguan se donin të mësonin më shumë rreth asaj se si dëmtime të tilla të shtyllës kurrizore, mund t’i bëjnë pacientët më të prirur të vuajnë nga sëmundje që zakonisht shoqërohen me dietë të dobët dhe mungesë ushtrimesh.
Ekipi shqyrtoi të dhënat e pacientëve nga Mass General Brigham dhe nga Universiteti i Kalifornisë, për të krahasuar rezultatet për pothuajse 3,000 pacientë me dëmtime të shtyllës kurrizore dhe të tjerë.
“Pacientët me një histori të TSCI kishin rrezik dukshëm më të lartë për tension të lartë të gjakut, kolesterol të lartë, goditje në tru dhe diabet, së bashku me gjendje të tjera neurologjike dhe psikiatrike”, thanë studiuesit, duke paralajmëruar se lëndime të tilla ishin “të shoqëruara me një rrezik në rritje të vdekjes, madje edhe tek pacientët që më parë ishin të shëndetshëm”.
“Udhëtimi nuk mbaron kur pacientët me dëmtime traumatike të palcës kurrizore, largohen nga spitali ose qendra e rehabilitimit”, tha Saef Izzy, një neurolog në Departamentin e Neurologjisë në Mass General Brigham.
“Duhet të zbatohen programe për të identifikuar pacientët në rrezik, në mënyrë që të mund ta menaxhojmë më mirë kujdesin e tyre kronik dhe të adresojmë problemet shëndetësore që i vënë pacientët në rrezik më të lartë vdekjeje”, shtoi Izzy./DPA News.





