Nuk do të ketë paqe në Lindjen e Mesme për sa kohë që Izraeli vazhdon të pushtojë Palestinën, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, këtë të hënë.
Sipas tij, do të jetë e pamundur të sigurohet paqja në rajon derisa të përfundojë pushtimi i Palestinës dhe të krijohet një shtet palestinez brenda kufijve të vitit 1967.
“Për sa kohë që Palestina vuan, asnjë vend në rajon nuk mund të ndihet i sigurt”, tha ai në një fjalim drejtuar kombit.
Sipas udhëheqësit turk, vendi i tij vazhdon të dërgojë ndihmë humanitare në Rripin e Gazës.
“Pavarësisht pengesave nga Izraeli për dërgesat humanitare në Gaza, ne vazhdojmë ta mbështesim atë. Anija e 18-të me ngarkesa humanitare ka mbërritur në rajon. Dyzet e shtatë kamionë me ndihma kanë arritur në pikën e kontrollit të Rafah. Ne duhet të ndihmojmë urgjentisht banorët e Gazës që jetojnë në kampe me tenda. Dërgimi i kontejnerëve në Gaza nga vendi ynë do të ndihmojë në përmirësimin e situatës atje”, shtoi Erdogan.





