Shkodra ishte skena kryesore e pingpongut shqiptar, duke pritur sportistët elitë të ekipeve Vllaznia, Elbasani, Tomori, SK Tirana, Teuta, Gjikondi, Përmeti, Partizani, Shoqata K. Malaj dhe Tirana Top Spin, për meshkuj dhe femra, të cilët matën forcat në Kupën e Shqipërisë. Kjo garë shënon një nga aktivitetet më kryesore të Federatës dhe solli në qytetin verior emocion, rivalitet dhe një nivel në rritje të këtij sporti. Pas një serie përplasjesh të forta dhe ndeshjesh cilësore, Elbasani në kategorinë e meshkujve dhe Teuta në kategorinë e femrave u shpallën fituese të Kupës.

Këto suksese vijnë vetëm pak kohë pas triumfeve edhe në kampionatet kombëtare, duke i kthyer këto skuadra në dominuese kryesore të pingpongut shqiptar për këtë sezon. Në qendër të vëmendjes qëndruan edhe përballjet individuale, të cilat dhuruan një spektakël të vërtetë. Redjon Ajdinaj, Sadush Tosuni dhe Kejdi Kalaja prodhuan disa nga ndeshjet më emocionuese të turneut. Duelet mes tyre u karakterizuan nga ritmi i lartë, vendimet taktike dhe shkëmbimet e shpejta, që elektrizuan dhe mbajtën të mbërthyer publikun deri në pikën e fundit.

Pas përfundimit me sukses të Kupës së Republikës, Federata Shqiptare e Pingpongut do të vazhdojë aktivitetet e saj zyrtare me një tjetër kompeticion të rëndësishëm: Kampionatin Mbarëkombëtar Shqipëri-Kosovë, që do të zhvillohet në Elbasan më datë 22-23 nëntor.