Volejbollistja e Dinamos Nayara Ferreira, e cila u perfol gjatë për shkak të dyshimit që disa klube kishin mbi gjininë e saj, prej disa ditësh është larguar nga Shqipëria. Braziliania ka vendosur të mos luajë më në vendin tonë edhe pse për pak ditë ajo do të rikthehet sërish në Shqipëri.
Këtë herë vetëm për të marrë valixhet dhe për të dorëzuar testin e gjinisë, që e ka kryer prej më shumë se dy javësh. Burime bëjmë me dije se pëgjigjja e testit është gati, por mund ta tërheqë vetëm volejbollistja dhe më pas do ti dorëzohet si klubit ashtu edhe federatës. Pavarësisht përgjigjjes së testit, 32-vjeçarja e cilëson të pavend që të vijojë dhe të luajë në kampionatin shqiptar.
Klubi i Dinamos ia faturon këtë largim dy ekipeve të tjera të kampionatit, Pogradecit dhe Vllaznisë, që ngritën dyshime mbi gjininë e 32-vjeçares. Sipas Dinamos qëllimi i tyre ishte të dënohej klubi, i cili këtë vit synonte të shpallej kampion në vendin tonë, por prej disa ndeshjes, që prej largimit të Nayara-s, nuk po mund të marrë rezultat që priste.
Për shkak të dyshimit të Vllaznisë dhe Pogradecit, deri në dorëzimin e testit, Federata Shqiptare e Volejbollit vendosi ta pezullojë volejbollisten, e cila ishte më e spikatura te Dinamo. Ky vendim solli një sërë akuzash mes klubit dhe federatës, ndërsa Pogradeci dhe Vllaznia për shkak të përmasave të skandalit që mori çështja, u shprehën se nuk kanë kërkuar test gjinie, por matje të testosteronit.





