Njerëzit që pinë kafe çdo ditë mund të jetojnë deri në pesë vite më gjatë se ata që e shmangin atë, sipas një studimi të ri të publikuar në BMJ Mental Health.
Sipas kërkuesve, deri në katër filxhanë kafe në ditë – rreth 400 mg kafeinë, sasia maksimale e rekomanduar – lidhen me plakje më të ngadaltë biologjike falë zgjatjes së strukturave që mbrojnë kromozomet nga dëmtimet.
“Me moderim, kafeja ka efekt mbrojtës; në sasi të mëdha, ndodh e kundërta. Pjesëmarrësit që pinin deri në limitin ditor të rekomanduar kishin moshë biologjike rreth pesë vite më të re”, theksuan autorët.
Pse kafeja mund të ndihmojë?
Studiuesit besojnë se efekti anti-plakje i kafesë lidhet me nivelin e lartë të antioksidantëve dhe substancave anti-inflamatore që ajo përmban.
“Telomeret janë shumë të ndjeshme ndaj stresit oksidativ dhe inflamacionit. Kafeja mund të veprojë si mbrojtëse ndaj tyre”, thuhet në raport.
Megjithatë, ekspertët jashtë studimit kërkojnë kujdes në interpretim. Dr. Elizabeth Akam nga Universiteti Loughborough thekson se duhen analizuar përbërësit e kafesë veç e veç:
“Kafeja nuk është një substancë e vetme, por një përzierje komplekse që mund të ndikojë në trup në mënyra të ndryshme.”





