Një studim i publikuar në Nature Communications ka rrëzuar idenë se truri i njeriut zhvillohet në mënyrë lineare. Pas analizimit të mbi 4,000 skanimeve MRI, studiuesit e Universitetit të Kembrixhit arritën në përfundimin se truri kalon pesë faza të mëdha transformimi – dhe ajo që ne quajmë “adoleshencë” zgjat shumë më gjatë sesa mendohej: deri në moshën 32 vjeç.

Sipas rezultateve, ndërrimet e forta në strukturën e trurit ndodhin rreth moshave 9, 32, 66 dhe 83 vjeç. Këto “pragje biologjike” shënojnë kalimet nga fëmijëria te adoleshenca, nga adoleshenca te qëndrueshmëria e moshës së rritur, dhe më pas te dy faza të plakjes.

• 0–9 vjeç – fëmijëria

• 9–32 vjeç – adoleshenca e trurit; periudha ku truri vazhdon të akordohet dhe stabilizohet

• 32–66 vjeç – mosha e rritur e qëndrueshme

• Pas 66 vjeç – fillimi i plakjes së strukturave nervore

Autorja e studimit, neuroshkencëtarja Alexa Mousley, e përshkruan trurin si “organ në riprogramim të vazhdueshëm”, ku lidhjet nervore forcohen dhe dobësohen sipas përvojave. Ajo thekson se ndryshimet nuk janë të vazhdueshme, por vijnë me periudha të qarta përshpejtimi dhe ngadalësimi.

Ky zbulim lidhet drejtpërdrejt me sjelljet, vulnerabilitetet dhe çrregullimet që shfaqen në secilën fazë të jetës – nga rritja e riskut për probleme psikiatrike në adoleshencë, deri te rritja e rasteve të demencës në pleqëri.

Studiuesit shpresojnë se këto të dhëna do të ndihmojnë në ndërhyrje më të sakta për shëndetin mendor dhe njohës përgjatë viteve. Hapi i ardhshëm i kërkimit po fokusohet te ndryshimet midis trurit mashkullor dhe femëror, përfshirë efektet e menopauzës, të cilat deri më sot janë trajtuar sipërfaqësisht nga neurologjia.