Ekonomia shënon rritje, por tregu i punës po jep sinjale ftohjeje. INSTAT konfirmon se në tremujorin e tretë të 2025 numri i të punësuarve për popullsinë 15+ zbriti në 1.178.604 persona, një rënie me 0,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shkalla e papunësisë mbeti në vend: 8,1%. Tek burrat është 6,8%, ndërsa tek gratë 9,7%, duke treguar një rritje të ndjeshme të papunësisë për gratë (+1,2 pikë) dhe ulje për burrat (-0,9 pikë).

Tek të rinjtë 15-29 vjeç, papunësia zbriti në 15%, një ulje e dukshme krahasuar me vitin e kaluar. Për grup-moshën 30-64 vjeç, papunësia është 7,6%.

Pavarësisht rënies vjetore, krahasuar me tremujorin e dytë 2025 punësimi është rritur me 0,7%. Shkalla e përgjithshme e punësimit arriti në 58,8%, ndërsa për moshën 15-64 vjeç në 69,6%.

Hendeku gjinor mbetet i thellë: 76,6% e burrave janë të punësuar, kundrejt 62,7% të grave.

Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës arriti 76,5%, në rritje krahasuar me një vit më parë. Për burrat kjo normë është 82,9%, për gratë 70,2%.

Inaktiviteti për moshën 15-64 vjeç qëndron në 23,5%. Një pjesë e madhe e të paangazhuarve janë persona që kryejnë detyra shtëpiake, në pension, ose me paaftësi të përhershme. Tek të rinjtë, inaktiviteti mbetet i lartë – 46,5% – kryesisht për shkak të përfshirjes në arsim.