Drejtori i komunikimit të Partisë Demokratike, Alfred Lela, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të Adriatik Lapajt, duke hedhur poshtë akuzat se Policia u shty me protestuesit për hir të një skenari të organizuar nga PD.
Në një reagim publik, Lela sqaron se i ka shkruar Lapajt me porosi të drejtpërdrejtë nga Sali Berisha, për t’i ofruar mundësinë që të fliste në Foltoren e PD-së, por sipas tij, Lapaj nuk është përgjigjur. Ai e cilëson sjelljen e Lapaj ‘lojë bërrylash për protagonizëm, jo opozitarizëm.’
“Adriatik, mos e qelb edhe ti, si aleati-armik Enxiu Shabani! Bullshit!
Adriatik Lapajt i kam shkruar sot paradite ‘të më telefonojë kur të ketë mundësi’. T’ua tregojë mesazhet mbështetësve të tij, para se t’i ndërsejë për t’ia faturuar Berishës dhe PD dhunën e Policisë. I shkrova, jo për mall, por se kisha porosi nga Sali Berisha që, po të donte, e kishte derën hapur të fliste në Foltoren tonë. Nuk më mori dhe as më shkroi. Tani më duket se e kuptoj psenë. Kërkon një akt martirizimi dhe heroizimi. Me këtë rast sakaton edhe të vërtetën. I lutem të mos bëhet si ‘vëllami politik’ i 11 majit, Enxiu Shabani. Sidoqoftë, më vjen keq për forcën policore të përdorur në dy raste ndaj mbështetësve të tij. Është qesharake të mos lejosh protesta para një institucioni, kur para Shtëpisë së Bardhë ka, çdo ditë të Zotit, disa protesta, ndonjëra edhe e përhershme. Askush nuk i shtyn dhe as pengon. Që të ndërtosh skenarë me dhunë të porositur nga opozita kryesore, është lojë bërrylash për protagonizëm, jo opozitarizëm. Gjithashtu, gjë e pashije…”, shkruan Lela.





