Georgina Rodriguez, partnerja e yllit të futbollit Cristiano Ronaldo, ka folur hapur për famën, dashurinë dhe dasmën e shumëpritur me futbollistin portugez.

Në një intervistë për revistën Elle Spain, Georgina rrëfen se kalimi nga një vajzë e panjohur në një figurë publike ndërkombëtare nuk ndodhi brenda natës, pavarësisht lidhjes me një nga sportistët më të famshëm në botë.

Ajo thotë se fama i ka sjellë mundësi të mëdha profesionale, por edhe kufizime në jetën e përditshme, duke e bërë të pamundur të bëjë gjëra të thjeshta si shëtitjet apo daljet pa u vëzhguar.

Georgina ndalet edhe te momenti i njohjes me Ronaldon, duke e përshkruar lidhjen e tyre si diçka që tejkalon fiziken, një ndjesi të pashpjegueshme që i bëri të kuptonin se ishin të destinuar për njëri-tjetrin.

Pas gati dhjetë vitesh lidhjeje dhe pesë fëmijësh, çifti ndodhet tashmë në prag të martesës. Unaza e fejesës, me një diamant gjigant, ka tërhequr vëmendjen e publikut, ndërsa Georgina e quan atë “më të paktën që mund të më jepte” pas viteve të pritjes.

Sipas saj, momenti i propozimit ishte krejt i papritur dhe emocioni aq i madh sa nuk e hapi unazën deri në mëngjes.

Sa i përket ceremonisë, çifti planifikon një dasmë të vogël dhe intime. Mediat raportojnë se ceremonia pritet të mbahet këtë verë në katedralen e Funchal në Madeira, vendlindja e Cristiano Ronaldos, pas përfundimit të Kupës së Botës.