Fifi ka reaguar ashpër ndaj valës së komenteve negative dhe fyese që ka marrë në rrjetet sociale pas publikimit të këngës së saj në festival. E ftuar në podcastin e Dalina Buzit, artistja rrëfeu se sulmet nuk janë drejtuar vetëm ndaj saj, por edhe ndaj djalit të saj, gjë që e ka prekur thellë.

Sipas Fifit, gjithçka ka nisur menjëherë pas daljes së këngës në festival. Deri në atë moment, ajo thekson se nuk kishte përjetuar asnjë koment negativ që lidhej me fëmijën e saj.

“Që nga dita kur doli kënga e festivalit, më kanë ardhur komente duke mallkuar djalin tim,” u shpreh ajo.

Artistja tregoi se brenda vetëm një jave ka marrë rreth 300 komente, nga të cilat rreth 200 kanë qenë mallkime të drejtpërdrejta ndaj djalit të saj. “Dy javë më parë nuk kisha marrë asnjë koment për të. Brenda një jave, më erdhën 300 komente dhe 200 prej tyre ishin mallkime për fëmijën tim,” tha Fifi, duke shtuar se dyshon se bëhet fjalë për një sulm të organizuar. E prekur, kengetarja theksoi se është e gatshme të përballet me çdo kritikë personale, por jo me sulme ndaj fëmijës së saj.

“Mua le të më mallkojnë sa të duan, por djalin mos ma prekin. Ai nuk ka asnjë lidhje me këtë,” përfundoi ajo.