“11 muaj më parë trashëgova një fatkeqësi.” Kështu e filloi presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump mesazhin e tij drejtuar kombit amerikan, duke fajësuar paraardhësin e tij Joe Biden për vështirësitë ekonomike dhe krizën e imigracionit me të cilën po përballet administrata e tij.
“Ne ishim të mbingarkuar me emigrantë të paligjshëm, persona transgjinorë në sportet e grave dhe kishim marrëveshjet më të këqija tregtare të nënshkruara ndonjëherë.“, tha Trump, duke shtuar se e gjeti vendin në gjendje kritike por se ai tashmë po punon për të përmbysur trendin.
Sipas udhëheqësit të Shtëpisë së Bardhë, administrata e tij ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në një kohë shumë të shkurtër. Trump përsëriti me krenari misionin e tij politik, duke e paraqitur veten si një president që më në fund lufton ekskluzivisht për interesat e qytetarëve amerikanë.
“Po i rregulloj gjërat”, i tha ai kombit, duke theksuar rendin kufitar, konkurrencën ekonomike dhe mbrojtjen e traditave shoqërore të vendit. Ai tha se kushtet ekonomike të Amerikës janë përmirësuar, duke argumentuar se çmimet në Shtetet e Bashkuara kanë “rënë” që nga inaugurimi i tij.
Duke u ndalur te tarifat doganore, ai tha se “një vit më parë, vendi ishte i vdekur dhe i falimentuar ndërsa tani nuk është më”. Ai ia atribuoi pjesën më të madhe të suksesit përdorimit masiv të detyrimeve doganore, duke i përshkruar tarifat si fjalën e tij të preferuar dhe mjetin kryesor për të stimuluar 80 trilionë dollarë në investime të reja të shpallura në tokën amerikane në muajt e fundit.
Ai preku edhe temat e nxehta të politikës monetare dhe investimeve, duke njoftuar se kryetari i ri i Rezervës Fderale do të emërohej vitin e ardhshëm.





