Presidenti rus Vladimir Putin është “i gatshëm për dialog” me homologun e tij francez Emmanuel Macron, nëse ekziston “vullnet politik” për një gjë të tillë. Këtë deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve RIA.
Macron, menjëherë pas përfundimit të samitit të Bashkimit Evropian, deklaroi se “është i gatshëm të bisedojë me Putinin”. Në këtë kontekst, Peskov theksoi se “është e rëndësishme të kujtohet se çfarë tha presidenti i Rusisë” në konferencën e madhe për shtyp të mbajtur të premten, ku ai u shpreh se “është i gatshëm të angazhohet në dialog me Macronin”.
“Nëse ekziston një vullnet i ndërsjellë politik, kjo mund të shihet vetëm pozitivisht”, shtoi zëdhënësi i presidencës ruse.
Peskov iu referua deklaratave që presidenti francez bëri në orët e para të mëngjesit të së premtes në Bruksel, pas përfundimit të samitit ku Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje për dhënien e një huaje prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, për të mbuluar nevojat e saj financiare gjatë dy viteve të ardhshme.
“Mendoj se mund të jetë sërish e dobishme të flasim me Vladimir Putinin”, u shpreh Macron para mediave.
“Vërej se ka disa që po flasin me Vladimir Putinin”, shtoi ai, duke iu referuar me sa duket homologut të tij amerikan, Donald Trump.
“Prandaj besoj se ne, evropianët dhe ukrainasit, kemi interes të krijojmë një kornizë për të rifilluar këtë diskutim”, sepse “nëse jo, do të flasim vetëm mes nesh dhe me negociatorë që bisedojnë të vetëm me rusët, gjë që nuk është zgjidhja më e mirë”, shpjegoi Macron.
Të dërguar të Donald Trump kanë zhvilluar një sërë takimesh për bisedime të ndara, nga njëra anë me Moskën dhe nga ana tjetër me zyrtarë ukrainas dhe evropianë, pa u shënuar deri tani ndonjë përparim konkret drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Këtë javë, negociatorë nga Ukraina, vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara u takuan në Miami, Florida. Uashingtoni u përfaqësua nga Steve Witkoff, i dërguar i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, dhe Jared Kushner, dhëndri dhe këshilltari i presidentit amerikan.
I dërguari rus Kirill Dmitriev nisi dje, të shtunën, bisedime me dy përfaqësuesit amerikanë, të cilat i cilësoi “konstruktive”, duke shtuar se ato do të vazhdojnë edhe sot.
Nuk parashikohen kontakte dypalëshe mes Moskës dhe Kievit, as takime trepalëshe.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje dje Uashingtonit që të rrisë presionin ndaj Moskës.





