Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Dubain, ku një asistente fluturimi 25-vjeçare u gjet e pajetë në një dhomë hoteli me pesë yje. Autoritetet bëjnë me dije se ajo ishte sulmuar disa herë me një objekt të mprehtë, duke humbur jetën në vend. Për krimin dyshohet Albert Morgan, 41 vjeç, ish-bashkëshorti i viktimës, i cili u ndalua nga autoritetet ruse pasi mbërriti në Shën Petersburg, në bazë të një urdhri gjykate.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, hetuesit besojnë se motivi i dyshuar i ngjarjes lidhet me xhelozinë. Morgan dyshohet se kishte dyshime mbi aktivitetet e viktimës gjatë kohës kur ata ishin në një lidhje. Burime hetimore bëjnë me dije se i dyshuari kishte arritur të hynte në dhomën e hotelit duke u paraqitur si klient, çka çoi më pas në një përplasje mes tyre. Ngjarja përfundoi në mënyrë tragjike, me vdekjen e 25-vjeçares.

Sipas autoriteteve, Morgan kishte udhëtuar në Dubai i shoqëruar nga një person tjetër, i cili dyshohet se e kishte ndihmuar të identifikonte dhomën e viktimës. Identifikimi i tij u bë përmes pamjeve të kamerave të sigurisë së hotelit, të cilat u vunë në dispozicion të autoriteteve përkatëse, duke çuar në arrestimin e tij pas kthimit në Rusi. Mediat raportojnë gjithashtu se, para ndalimit, Morgan kishte paraqitur kërkesa për t’u rekrutuar për të luftuar në Ukrainë, një praktikë që sipas burimeve shpesh është përdorur nga persona të dyshuar për krime për t’iu shmangur drejtësisë.

Gjykata e Distriktit Oktyabrsky në Shën Petersburg urdhëroi mbajtjen e tij në paraburgim për dy muaj, në pritje të hetimeve të mëtejshme, duke e akuzuar për vrasje sipas nenit 105 të Kodit Penal Rus. Sipas autoriteteve, gjatë martesës dyvjeçare mes çiftit, viktima kishte kontaktuar disa herë policinë për konflikte të dhunshme, por më pas kishte tërhequr ankesat e saj. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.