Kur bëhet fjalë për teshtimën, njerëzit zakonisht ndahen në dy grupe: ata që teshtijnë lirshëm dhe ata që përpiqen ta mbajnë atë, shpesh për arsye mirësjelljeje ose për të shmangur zhurmën.

Sipas mjekëve, mbajtja e teshtimës mund të ketë pasoja serioze për shëndetin. Një rast i tillë është raportuar në revistën “British Medical Journal”, ku një burrë 34-vjeçar nga Britania përfundoi në spital pasi tentoi të ndalonte teshtimën duke mbyllur hundën dhe gojën.

Ekspertët shpjegojnë se presioni i krijuar i shkaktoi atij çarje të brendshme në fyt, enjtje të qafës, si dhe vështirësi në të folur dhe përtypje. Ai qëndroi i shtruar në spital për shtatë ditë dhe gjatë kësaj kohe u ushqye përmes tubave mjekësorë.

Teshtima është një refleks natyral dhe mbrojtës i trupit, që aktivizohet kur një trup i huaj ose alergjen hyn në hundë.

Diafragma dhe muskujt e kraharorit kontraktohen për të nxjerrë menjëherë jashtë substancat e padëshiruara, duke pastruar rrugët e frymëmarrjes.

Ky proces është jashtëzakonisht i fuqishëm: ajri i nxjerrë gjatë teshtimës mund të arrijë shpejtësi shumë të larta. Kur teshtima mbahet, ajri detyrohet të ndryshojë drejtim, gjë që mund të shkaktojë dëmtime në veshin e mesëm, çarje të daulles së veshit ose infeksione, pasi mukusi dhe bakteret shtyhen mbrapsht.

Mjekët theksojnë se teshtima nuk duhet ndaluar. Megjithatë, kjo nuk do të thotë të shpërfillet higjiena apo të tjerët përreth. Kur jeni të sëmurë, teshtima mund të përhapë mikrobe në ajër, prandaj rekomandohet të përdorni shami ose letër për të mbuluar hundën dhe gojën, dhe jo duart, të cilat ndihmojnë në përhapjen e virozave dhe gripit.