Një zyrtar i lartë i Japonisë tha se vendi duhet të pajiset me armë bërthamore.
Sipas mediave të huaja, pas kësaj deklarate, Kina ka lëshuar një paralajmërim ndaj Japonisë, duke deklaruar se një veprim i tillë do të “sjellte përsëri fatkeqësi në botë”.
Një këshilltar i lartë i paidentifikuar i kryeministres japoneze Sanae Takaichi thuhet se argumentoi në fund të javës së kaluar se mbështetja e gjatë e Tokios në arsenalin bërthamor të SHBA-së mund të mos jetë më plotësisht e besueshme.
Sipas saj, vendi duhet të rivlerësojë potencialisht politikat e tij jo-bërthamore pas Luftës së Dytë Botërore dhe të ndjekë masat e veta parandaluese.
Ministria e Jashtme kineze dënoi me forcë bisedën e raportuar për armët bërthamore, duke e quajtur atë një tjetër shembull se si “forcat japoneze të krahut të djathtë po përpiqen ta ‘rimilitarizojnë’ dhe ‘riarmatosin’ Japoninë”.
Pekini i kërkoi Tokios “të mos kërkojë të sfidojë rendin ndërkombëtar të pasluftës dhe të ndalojë së zhyturi më tej në rrugën e gabuar”.
“Disa forca brenda Japonisë jo vetëm që nuk kanë reflektuar mbi historinë e agresionit të Japonisë, por kanë qenë gjithashtu jashtëzakonisht të pakënaqura me marrëveshjen ndërkombëtare të pasluftës.
Nëse forcat e krahut të djathtë në Japoni lihen të lira të zhvillojnë armë të fuqishme sulmuese, ose edhe të posedojnë armë bërthamore, kjo do të sjellë përsëri katastrofë në botë”, tha ministria në një deklaratë.





