Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime kundër industrisë kineze të gjysmëpërçuesve duke vendosur tarifa të reja për mikroçipat e importuar nga Kina. Në një deklaratë nga Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së u bë e ditur se tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 23 qershor 2027.

Deri më tani, këto produkte janë importuar në Shtetet e Bashkuara me tarifa zero, gjë që, sipas palës amerikane ka favorizuar industrinë kineze të mikroçipave. Njoftimi vjen pas një hetimi dyvjeçar mbi importet e çipave kinezë në Shtetet e Bashkuara, të iniciuar nga administrata Biden dhe të udhëhequr nga Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së.

“Përpjekja e Kinës për të dominuar industrinë e gjysmëpërçuesve është e paarsyeshme dhe ngarkon ose kufizon tregtinë e SHBA-së dhe për këtë arsye është e dënueshme”, tha agjencia në një deklaratë.

Detajet mbi tarifat e reja nuk janë publikuar ende. Ky veprim pritet të shkaktojë një reagim të ashpër nga Pekini, pasi përshkallëzon më tej tensionet tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë.