Kërkimi për 9-vjeçaren Melody Buzzard, e cila u zhduk me nënën e saj në fillim të tetorit, përfundoi tragjikisht, pasi policia tashmë ka njoftuar se vajza u gjet e vdekur pasi u qëllua në kokë nga nëna e saj.

Trupi i Melody nga Kalifornia u zbulua në Utah në fillim të dhjetorit, dy muaj pasi ajo u zhduk.

“Vrasja e të miturve nga nëna është e rrallë dhe gjithmonë e vështirë për t’u kuptuar”, tha të martën Sherifi i Qarkut Santa Barbara, Bill Brown.

Ai e quajti vrasjen e 9-vjeçares nga nëna e saj “të paramenduar, të pamëshirshme dhe të llogaritur”.

Melody u pa për herë të fundit në kamerat e sigurisë të enjten, më 9 tetor, dhe policia beson se vajza u vra menjëherë pas kësaj. Autoritetet u njoftuan kur stafi në shkollën e 9-vjeçares raportoi se ajo kishte munguar për një periudhë të gjatë kohore.

Pamjet e kamerave të marra në një kompani me qira makinash atë ditë treguan se si nëna ashtu edhe vajza dukeshin se mbanin paruke, një element që ngriti menjëherë shqetësime.

Gjatë udhëtimit, në Kaliforni, Nevada, Arizona, Utah, Wyoming dhe Nebraska, targa e makinës me qira u zëvendësua përkohësisht me një targë të Nju Jorkut, duke nxitur më tej dyshimet në lidhje me lëvizjet e nënës së 9-vjeçares.

“Ajo po e kthente makinën e saj mbrapsht në stacionet e benzinës, në një përpjekje të dukshme për të shmangur zbulimin nga kamerat”, shtoi Sherifi Brown.

Megjithatë, motivi i nënës së 9-vjeçares nuk është përcaktuar ende, pasi gruaja deri tani nuk ka bashkëpunuar me autoritetet.