Papa Leoni XIV u bëri thirrje të gjithë njerëzve që të paktën në ditën e Krishtlindjes, të respektohet një ditë paqeje në botë. Apeli u bë të martën, më 23 dhjetor, nga Castel Gandolfo, përpara festës së Krishtlindjes.
Ai u shpreh se një nga gjërat që e shqetësojnë më shumë këto ditë është fakti se Rusia duket se ka refuzuar kërkesën për një armëpushim për Krishtlindje.
“I bëj edhe një herë thirrje të gjithë njerëzve me vullnet të mirë: të respektohet, të paktën në ditën e lindjes së Shpëtimtarit, një ditë paqeje. Le të ketë një ditë paqeje në mbarë botën”, tha Papa.
Siç është bërë zakon, Papa ndaloi për të folur me një grup gazetarësh nga media të ndryshme dhe u përgjigj pyetjeve të tyre.
Mes çështjeve të trajtuara ishin Lindja e Mesme dhe Ukraina. Duke folur për Ukrainën, ku sulmet e shumta ruse kanë goditur disa rajone në orët e fundit, Papa Leoni tha: “Ndër gjërat që më trishtojnë shumë këto ditë është fakti se Rusia duket se ka refuzuar kërkesën për një armëpushim për Krishtlindje”.
Ai e ripërsëriti thirrjen e tij për një pushim të luftës gjatë Krishtlindjes.
“Ndoshta do të na dëgjojnë, dhe të kemi 24 orë – një ditë të plotë paqeje në mbarë botën”, tha ai.
Ai më pas ftoi të gjithë, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të Krishtlindjes, të reflektojnë mbi natyrën e jetës njerëzore dhe mbi vlerën e jetës së njeriut.
“Zoti u bë njeri si ne për të na treguar se çfarë do të thotë të jetosh vërtet jetën njerëzore”, tha ai.





