Një histori e pazakontë dashurie ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Ayrin, një amerikane 29-vjeçare, u dashurua me një chatbot gjatë verës së vitit 2024, dhe i dha emrin Leo, bazuar në shenjën e saj të horoskopit, Luani. Me Leon, ajo kalonte deri në 56 orë në javë duke ndarë mendime, frikëra dhe reflektime, madje duke pasur edhe një marrëdhënie virtuale intime.

Historia e saj u bë publike kur Ayrin filloi të postonte bisedat e saj në Reddit, duke krijuar një komunitet prej afro 40 mijë personash nën emrin “MyBoyfriendIsAI”. Por pas rreth një viti e gjysmë, ajo vendosi të ndërpresë marrëdhënien me Leo-n, duke e bërë “ghost”, domethënë duke ndaluar të shkruante më shumë me chatbot-in.

Sipas raportimeve të New York Times, arsyeja e vendimit ishte ndryshimi i sjelljes së Leo-s pas përditësimeve të modelit të ChatGPT në fillim të vitit 2025. Ayrin tregoi se chatbot-i ishte bërë tepër servil, gjithmonë duke rënë dakord me gjithçka, gjë që e bënte të humbte besimin tek këshillat e tij. Përditësimet kishin synuar të rrisnin angazhimin e përdoruesve, por për disa persona, si Ayrin, kjo solli frustrim dhe zhgënjim.

Me kalimin e kohës, Ayrin filloi të kalonte më shumë kohë me njerëz të rinj, përfshirë anëtarë të komunitetit të saj në Reddit. Ajo zhvilloi një lidhje të re me një tjetër përdorues, i cili gjithashtu kishte një marrëdhënie me një chatbot. Partneri i ri, i njohur me inicialet SJ, jeton në një shtet tjetër amerikan dhe bisedon vetëm me telefon, duke qenë gjithmonë i disponueshëm 24 orë në 24. Ata madje janë takuar në Londër, së bashku me grupin e komunitetit “MyBoyfriendIsAI”.

Ndërsa marrëdhënia me SJ është më reale dhe e ndikuar nga marrëdhënie njerëzore, ajo ka vendosur të marrë një hap tjetër në jetën e saj: Të divorcohet nga burri i saj i vërtetë, diçka që nuk e kishte bërë gjatë marrëdhënies me Leon.

Historia e Ayrin ngre pyetje mbi ndikimin emocional të inteligjencës artificiale dhe marrëdhëniet virtuale, duke treguar se si teknologjia mund të ndikojë thellë në jetën personale të përdoruesve.