Në rrjetet sociale, ka shpërthyer një trend i ri detox: lëngu i selinos. Nga TikTok-u, ku përdoruesit e reklamojnë si zgjidhjen për aknet, tretjen e ngadaltë dhe humbjen e kileve, ky lëng jeshil ka kapur vëmendjen e miliona njerëzve. Po, a është vërtet kaq i magjishëm siç duket?
Ky fenomen filloi me Anthony William, i njohur si “Medical Medium”, i cili e bëri lëngun e selinos një ndër mrekullitë e ditës. Ai promovoi pirjen e lëngut të selinos çdo mëngjes në stomakun e zbrazët si një mënyrë për të pastruar trupin nga toksinat dhe për të rregulluar funksionin e zorrëve. Disa emra të njohur si Gwyneth Paltrow dhe Kim Kardashian kontribuan në këtë trend, duke e shndërruar selinonë nga një përbërës i zakonshëm i kuzhinës në një eliksir për shëndetin.
Lëngu i selinos është i pasur me ujë, minerale dhe antioksidantë, duke ofruar përfitime të tilla si hidratimi dhe lufta ndaj inflamacionit. Po ashtu, është shumë i ulët në kalori, çka e bën një aleat të mundshëm për ata që ndjekin dieta të ndryshme. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se nuk ka prova shkencore që vërtetojnë se lëngu i selinos pastron mëlçinë ose zgjidh problemet me tretjen dhe lëkurën.
Për sa i përket humbjes së peshës, lëngu i selinos mund të ndihmojë me diurezën, por nuk ndihmon në djegien e yndyrës. Zëvendësimi i vaktit të mëngjesit me një gotë lëng mund të çojë në një deficitet kalori dhe mund të krijojë dëshirë për ushqime të tjera jo aq të shëndetshme.
Në fund, nëse ju pëlqen dhe ju bën të ndiheni mirë, lëngu i selinos mund të jetë një shtesë e dobishme në një dietë të balancuar. Megjithatë, ai nuk mund të konsiderohet një kurë magjike për çdo problem shëndetësor. E rëndësishme mbetet një stil jetese i shëndetshëm dhe një ushqyerje e balancuar.





