Gjykata e Apelit të Kosovës ia ka ulur dënimin Tom Dodajt, i akuzuar për shitjen e armës me të cilën dyshohet se u vra Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023.

Dodaj, që kishte pranuar fajësinë për veprën e shitjes së paautorizuar të armëve, u dënua në shkurt të vitit 2025 me pesë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Apeli e uli dënimin në tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Sipas vendimit, Apeli e vlerësoi si “dënim të ashpër” dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë. Si faktor për uljen e dënimit, Gjykata përmendi pranimin e fajësisë nga Dodaj, kërkimfaljen ndaj familjes së viktimës dhe faktin që “nuk kishte qenë në dijeni se për çfarë do të përdorej arma që kishte shitur”.

Dyshohet se me të u vr* Liridona Ademaj, Apeli ul dënimin për

“Po ashtu, kjo gjykatë gjeti se është hera e parë që i akuzuari bie ndesh me ligjin. Prandaj, rrethanat e tilla në unitetin tyre tregojnë se edhe me një dënim më të ulët, të caktuar tani si në dispozitiv mund të arrihet qëllimi ndëshkimor i paraparë me dispozitën e nenit 38 të Kodi i Procedurës Penale”, tha Gjykata e Apelit. Gjatë seancës kur iu shqiptua dënimi, avokati i Dodajt, Agron Kuçi, kishte deklaruar se klienti i tij nuk i kishte njohur paraprakisht të pandehurit, por e kishte kuptuar se armën që e kishte shitur, ishte përdorur për vrasje, vetëm pas publikimit në media të rastit të vrasjes së Liridonës.

Për vrasjen e Liridona Ademajt po akuzohen tre persona, bashkëshorti i 30-vjeçares, Naim Murseli, Granit Pllana dhe Kushtrim Kokalla.

Murseli dhe Kokalla janë deklaruar të pafajshëm gjatë seancës gjyqësore, ndërkaq Plava s’ka pranuar të deklarohet për fajësinë.

Liridona Ademaj u vra në moshën 30-vjeçare më 29 nëntor 2023 në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Aktakuza e ngarkon Murselin se e ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes me qëllim hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, në shumë prej rreth 260 mijë eurosh.

Sipas Prokurorisë, Murseli e ka planifikuar vrasjen në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke u premtuar atyre një shpërblim prej 30 mijë eurosh për ta kryer krimin.

Kokalla akuzohet se e kishte njoftuar Murselin me dorasin Plava. Plava akuzohet se ka kryer vrasjen.

Vrasja e Liridona Ademajt shkaktoi zemërim publik, veçanërisht pasi bashkëshorti i saj mori pjesë në varrim.

Familja kërkoi zhvarrosjen e trupit të saj për ta varrosur në varrezat e familjes Ademaj.

Që nga viti 2010, në Kosovë u vranë rreth 60 gra – shumica nga bashkëshortët e tyre.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kritikojnë sistemin e drejtësisë për dënime të lehta të autorëve – gjë që, sipas tyre, i trimëron dorasit./REL