Bashkëshortja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, Selvije Jao, ka reaguar publikisht për herë të parë përmes një postimi në Instagram, duke bërë një sqarim të rëndësishëm që lidhet me djalin e tyre, Roelin.
Deklarata e saj vjen mes interesit dhe spekulimeve publike, ndërsa ajo ka vendosur të flasë hapur për çështjen e kujdestarisë dhe mbështetjes financiare.
Në reagimin e saj, Jao thekson qartë se është kujdestarja e vetme ligjore e Roelit dhe se çdo vendim që lidhet me të merret vetëm duke pasur parasysh interesin dhe mirëqenien e tij.
Ajo nënvizon se prioriteti i saj absolut është siguria, rritja dhe kujdesi për djalin, veçanërisht në mungesë të të atit.
Selvije Jao shprehet se e ka bërë këtë deklaratë për transparencë dhe për të shmangur çdo keqkuptim. Ajo sqaron se çdo ndihmë apo mbështetje për Roelin duhet të jetë e drejtë dhe e ndershme, duke theksuar se djali ka llogarinë e tij bankare personale dhe se nuk dëshiron që askush të përfitojë në emrin e tij.
Në mesazhin e saj emocional, ajo thekson gjithashtu se, ndonëse Roeli do ta ndiejë mungesën e të atit gjatë gjithë jetës, ajo si nënë do të vazhdojë të jetë pranë tij në çdo hap, me gjithë forcën dhe përkushtimin që ka.
Deklarata e Jaos është pritur me reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës e kanë përgëzuar për qëndrimin e saj të qartë dhe përkushtimin ndaj djalit, duke e cilësuar si një mesazh force, përgjegjësie dhe transparence.
“E bëj këtë deklaratë për të vetmen arsye që të theksoj se jam kujdestarja e vetme ligjore e Roelit. Edhe pse babai i mungon dhe do t’i mungojë gjithë jetën,
unë si nënë e kam prioritet absolut të kujdesem për të në çdo aspekt të mundshëm, deri sa të kem forcë dhe jetë. Roeli ka një familje si nga ana e Shpatit si dhe nga ana ime që e mbështet në maksimum dhe nuk i mungon asgjë falë Zotit, secili në mënyrën e vet mundohen për Roelin, por për transparencë dhe për të ditur se kujt duhet t’i falënderohem, po e ndaj këtë publikisht. Nuk dua që asnjë mbështetje të shkojë pa u falënderuar nga ana ime, por gjithashtu nuk dua që askush të përfitojë në emër të Roelit, pasi Roeli e ka llogarinë bankare personale dhe jam e vetmja që mund të flas për gjendjen e djalit tim të mitur”, shkoi Selvije Jao në Instagram.





