Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur Spanjën jugore, ku të paktën 39 persona kanë humbur jetën pas përplasjes së dy trenave me shpejtësi të lartë pranë Adamuz-it, në rajonin e Andaluzisë.

Pamjet video të regjistruara menjëherë pas tragjedisë tregojnë ekipet e shpëtimit duke operuar në vendngjarje, ndërsa pasagjerët presin të nxirren nga dritaret e thyera të vagonëve të përmbysur. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet.

Garda Civile spanjolle publikoi në rrjetet sociale pamje nga operacionet e shpëtimit, ku duken rrënoja pranë një tuneli. Sipas informacioneve të fundit, përpjekjet për nxjerrjen e personave të bllokuar vazhdojnë në njërin prej dy trenave, ndërsa në trenin tjetër kanë përfunduar.

Ndërkohë, ministri spanjoll i Transporteve, Óscar Puente, paralajmëroi se “numri i të vdekurve nuk është përfundimtar”, ndërsa kryeministri Pedro Sánchez njoftoi se po shkon drejt vendit të aksidentit për t’u informuar nga afër mbi situatën.

Kompania private Iryo, pronare e trenit që doli nga shinat dhe u përplas me një tren tjetër që lëvizte në drejtim të kundërt, bëri të ditur se kontrolli i fundit teknik ishte kryer të enjten.

Si ndodhi tragjedia

Një tren me shpejtësi të lartë i kompanisë private Iryo doli nga shinat dhe u përplas me një tren të kompanisë shtetërore Renfe, të dielën në mbrëmje. Sipas ministrit Puente, përplasja ishte aq e fortë sa u përmbysën edhe dy vagonët e parë të trenit të dytë.

Aksidenti ndodhi pranë Adamuz-it, në provincën e Kordobës, rreth 360 kilometra në jug të Madridit, rreth orës 19:45 sipas orës lokale.

Sipas gazetës El Pais, mes viktimave ndodhet edhe makinisti 27-vjeçar i trenit të Renfe-s, i cili ishte nisur nga Madridi drejt Huelvës. Në të dy trenat udhëtonin rreth 400 persona, kryesisht shtetas spanjollë.

trenat spanje aksidenti 1

“Ishte si të ndodhte një tërmet”, thotë një pasagjer

Një pasagjer që ndodhej në njërin prej trenave të përfshirë në aksident deklaroi se përplasja “i ngjante një tërmeti”.

“Isha në vagonin e parë. Në një moment ndjeva sikur po ndodhte një tërmet dhe më pas treni doli nga shinat”, tha Salvador Jiménez për televizionin publik RTVE.

Një tjetër pasagjer, që udhëtonte drejt Madridit, i tha televizionit Canal Sur: “Njerëzit bërtisnin, kërkonin mjekë”.

Një aksident shumë i çuditshëm

Treni i Renfe-s po lëvizte me rreth 200 km/orë në momentin e përplasjes, ndërsa shpejtësia e trenit që doli nga shinat ende nuk është bërë e ditur.

Shkaqet e aksidentit mbeten të paqarta, deklaroi ministri Puente gjatë një konference për shtyp nga stacioni Atocha në Madrid, duke e cilësuar ngjarjen si “shumë të çuditshme”.

“Si është e mundur të ndodhë një aksident i tillë në një segment të drejtë hekurudhor, të rinovuar, me një tren pothuajse të ri?”, u shpreh ai, duke shtuar se një komision i posaçëm do të hetojë shkaqet.

“Kjo është një natë dhimbjeje të thellë për vendin tonë”, shkroi kryeministri Pedro Sánchez në platformën X, duke njoftuar se ka anuluar të gjitha angazhimet për të ndjekur nga afër operacionet e shpëtimit.

Ministri Puente sqaroi se shumica e viktimave dhe të plagosurve ndodheshin në dy vagonët e parë të trenit të Renfe-s, mbi të cilët u përplas treni tjetër. Në vagonin e parë ndodheshin 37 persona dhe në të dytin 16.

Shefi i zjarrfikësve të Kordobës, Paco Carmona, tha për TVE se pasagjerët e trenit të Iryo-s u evakuuan brenda pak orësh, ndërsa vagonët e trenit të Renfe-s pësuan dëme të rënda.

“Ka ende persona të bllokuar. Operacioni po fokusohet në nxjerrjen e njerëzve nga hapësira shumë të ngushta. Duhet të largojmë trupat për të arritur tek ata që mund të jenë ende gjallë. Është një detyrë jashtëzakonisht e vështirë”, tha Carmona.