Pentagoni ka urdhëruar rreth 1,500 trupa në detyrë aktive në Alaska të përgatiten për një vendosje të mundshme në Minnesota, thanë dy zyrtarë amerikanë për Reuters.
Ushtria amerikane ka urdhëruar njësitë të jenë në gatishmëri për t’u vendosur në rast se vala e protestave në shtet përshkallëzohet pas vrasjes së një gruaje 37-vjeçare nga agjentët e Imigracionit dhe Doganave (ICE), thanë zyrtarët.
Kujtojmë se Presidenti Donald Trump kërcënoi të enjten se do të përdorte Aktin e Kryengritjes për të vendosur forca ushtarake nëse zyrtarët shtetërorë nuk i ndalojnë protestuesit të synojnë oficerët e imigracionit.
Kjo për shkak se konfrontimet midis banorëve dhe oficerëve federalë në Minneapolis janë përshkallëzuar që kur Renee Goode, një nënë 37-vjeçare me tre fëmijë, u qëllua për vdekje nga oficeri i Imigracionit dhe Doganave Jonathan Ross më 7 janar.
Kryebashkiaku i Minneapolis, Jacob Frey, tha të dielën se çdo vendosje ushtarake do të përkeqësonte tensionet në qytetin më të madh të Minesotës, ku administrata Trump ka dërguar tashmë 3,000 oficerë të emigracionit dhe patrullave kufitare amerikane për t’u marrë me protestat kryesisht paqësore.
“Ky do të ishte një hap tronditës”, tha Frey në emisionin “Meet the Press” të NBC-së. “Nuk kemi nevojë për më shumë agjentë federalë për të mbajtur njerëzit të sigurt. Ne jemi të sigurt”, shtoi ai.





