Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e ka larguar pak vëmendjen nga Forumi Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos këtë të martë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me çështjen e Groenlandës.

Ai tha se nuk ka “asnjë dyshim” që Uashingtoni e di se Rusia “nuk ka asnjë lidhje” me Groenlandën.

Ministri rus shtoi se “nuk ka prova” që Rusia do të synonte të pushtonte Groenlandën, ndërsa shtoi se vendi i tij do të “monitorojë situatën serioze gjeopolitike”, sipas BBC-së.

Lavrov shtoi se Groenlanda nuk ishte “një pjesë natyrore” e Danimarkës dhe se problemi i territoreve ish-koloniale po bëhej gjithnjë e më i mprehtë.

Ky koment vjen pasi presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se dëshiron një kontroll të plotë amerikan mbi Groenlandën për arsye sigurie kombëtare dhe të shtunën shpalli tarifa mbi importet nga aleatët evropianë që kundërshtojnë një marrje të mundshme nga SHBA.

Ky vendim i Trump-it ka sjellë shqetësim në kontinentin europian, ku liderët e vendeve të BE-së pritet të zhvillojnë këtë javë një samit emergjent lidhur me çështjen.

Kryetarja e Komisionit Europian Von der Leyen tha se BE qëndron në “solidaritet të plotë” me Groenlandën dhe Mbretërinë e Danimarkës, duke shtuar se sovraniteti i tyre është “i panegociueshëm”.

Duke folur në Davos, ajo tha se BE do të punojë me Danimarkën dhe Groenlandën “dorë për dore” për të mbështetur ekonominë dhe infrastrukturën lokale.