Eksportet e Gjermanisë në SHBA – kryesisht të automjeteve dhe të pjesëve të makinave – u tkurrën vitin e kaluar ndjeshëm. Tani partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë është sërish Kina.

Politika doganore e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka ndikuar fort tek eksportuesit gjermanë të mësuar me suksese. Sipas Entit Federal gjerman të Statistikave eksportet e mallrave “Made in Germany” për në SHBA ranë vitin e kaluar me 9.4 përqind, një pakësim ky i ndjeshëm. Kurse importet nga Shtetet e Bashkuara, në Gjermani u rritën me 2.2 përqind. Nga janari deri në nëntor 2025 eksportet gjermane në SHBA kapën një vlerë prej në 135.8 miliardë euro, kurse ato nga SHBA në Gjermani ishin 86.9 miliardë euro.

Suficiti i eksporteve gjermane është zvogëluar

Në përgjithësi suficiti i eksporteve nga Gjermania në tregtinë me SHBA-në ra në vitin 2025 në 48.9 miliardë euro, duke arritur nivelin më të ulët që nga viti 2021 i pandemisë së virusit korona.

Suficit eksportesh gjermane do të thotë që Gjermania shet dukshëm më shumë mallra në SHBA sesa anasjelltas. Për këtë shkak presidenti Trump e vuri Gjermaninë – kryesisht eksportet e makinave – në shënjestër duke kritikuar vazhdimisht suficitet e mëdha tregtare të Gjermanisë me SHBA-në dhe duke argumentuar se ato ishin të dëmshme për ekonominë amerikane. Një motiv kyç pas politikës së tij doganore proteksioniste është përpjekja për të kompensuar çekuilibra të tillë tregtarë, të cilët ai i konsideron “të padrejtë”.

Industria e automobilave e goditur veçanërisht rëndë

Dhe vërtet sidomos industria gjermane e automobilave pësoi humbje të mëdha për shkak të politikave doganore të Trumpit. Eksportet e makinave dhe të pjesëve të makinave ranë nga janari në nëntor 2025 me 17.5 përqind, duke arritur një vlerë prej 26.9 miliardë eurosh. Ndërkohë eksportet e makinerive ranë me 9.0 përqind në 24.1 miliardë euro.

Kurse industria farmaceutike arriti të ruajë volumin e saj të eksporteve, të cilat u rritën me 0.7 përqind në një vlerë prej 26.2 miliardë euro.

Kina përsëri partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë

Nga janari deri në nëntor 2025 SHBA-ja humbi gjithashtu pozicionin e saj si partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë, një pozicion që e kishin fituar për herë të parë në vitin 2024. Tani partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë është sërish Kina.

Tregtia e përgjithshme me Republikën Popullore të Kinës, pra vlera e të gjitha eksporteve dhe importeve, arriti në këtë periudhë afërsisht 230.8 miliardë euro. Kurse ajo me SHBA-në ishte vetëm 222,8 miliardë euro./DW