Kryeministri Edi Rama ka pritur në Kryeministri familjarët e viktimave të 21 Janarit, në një ceremoni homazhesh ku kujtoi sesi ndodhi ngjarja e rëndë, ku 4 qytetarë u vranë në protestën e opozitës së asaj kohe.

Rama u shpreh përgjegjësit kryesorë të tragjedisë mezi u thirrën për t’u pyetur vetëm pas thuajse 15 vitesh, ndërsa theksoi se historia tregon se krimet shtetërore nuk mbeten pa u ndëshkuar.

“21 Janari është ana tjetër e medaljes së drejtësisë së vonuar, me përgjegjësit kryesorë të tragjedisë që me zi u thirrën për t’u pyetur pas thuajse 15 vitesh. Unë e kam ditur dhe e kam thënë, është në shumë kronika apo intervista, se 21 Janari, si një krim shtetëror, hyn në atë kategori për të cilën historia na mëson se drejtësia vonon shumë, por nuk harron kurrë”, tha Rama.

Megjithatë, Rama u shpreh i zhgënjyer që pavarësisht ngritjes së strukturave të posaçme, për 15 vite nuk u ngrit asnjë akuzë për katër vrasjet në shesh.

Ai kritikoi gjithashtu SPAK-un, duke deklaruar: “Për vite me radhë edhe vetë SPAK-u bëri sikur kjo çështje nuk ekzistonte, pavarësisht se bëhet fjalë për kryeçështjen mes çështjeve të lidhura me abuzimet e pushtetit politik në Shqipëri, të cilat SPAK i merret drejtpërdrejt.”

Rama: 21 Janari është ana tjetër e medaljes së drejtësisë së vonuar, me përgjegjësit kryesorë të tragjedisë që me zi u thirrën për t’u pyetur pas thuajse 15 vitesh. Unë e kam ditur dhe e kam thënë, është në shumë kronika apo intervista, se 21 Janari, si një krim shtetëror, hyn në atë kategori për të cilën historia na mëson se drejtësia vonon shumë, por nuk harron kurrë.

Është shumë interesante historia e krimeve shtetërore, sepse nuk rezulton asnjë krim shtetëror i pandëshkuar. Por nga ana tjetër është shumë evidente se sa shumë vonon ndëshkimi për një krim shtetëror.

Po ama, edhe me orvatjen për të gjetur ngushëllim te historia e botës demokratike ndaj krimeve shtetërore, nuk e kam menduar, me thënë të drejtën, se reforma në drejtësi, për të cilën 21 Janari, si një nevojë prioritare e jona për drejtësi, ka qenë një prej burimeve të energjisë sonë për ta çuar atë përpara.

Më pas, me strukturat speciale, nuk do të ngrihej, gjë e paimagjinueshme për mua, asnjë akuzë pas 15 vitesh për katër vrasjet në shesh.

Për vite me radhë edhe vetë SPAK-u bëri sikur kjo çështje nuk ekzistonte, pavarësisht se bëhet fjalë për kryeçështjen mes çështjeve të lidhura me abuzimet e pushtetit politik në Shqipëri, të cilat SPAK i merret drejtpërdrejt.