Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të diel, më 6 shtator, lidhur me çështjen e pagave të magjistratëve dhe gjyqësorit.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka komentuar debatin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e sistemit të drejtësisë. Ai thekson se secili institucion duhet të veprojë brenda kompetencave të tij.

Sipas kryeministrit, fondi i pagave të pushtetit gjyqësor propozohet nga pushteti ekzekutiv dhe miratohet nga pushteti legjislativ. Rama tha se edhe vetë Gjykata Kushtetuese është në pritje të Parlamentit për ekzekutimin e vendimit të saj.

“Çdo koment tjetër është në rastin më të mirë humbje kohe”, shprehet kryeministri në reagimin e tij.

“Secili institucion në vendin e vet. Fondin e pagave të pushtetit gjyqësor e propozon pushtetit ekzekutiv dhe e miraton pushteti legjislativ. E kur vetë Gjykata Kushtetuese pret parlamentin të ekzekutojë vendimin e saj për pagat e gjyqësorit dhe nuk kuturiset të hapë vetë derën e thesarit të shtetit, çdo koment tjetër është në rastin më të mirë humbje kohe dhe në më të keqin as mos e pyet se ç’është”, shkruan Rama.