Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vijuar deklaratat e forta në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke u ndalur te NATO, lufta në Ukrainë, siguria globale dhe roli i SHBA-ve, në kuadër të mandatit të tij të dytë presidencial.
Trump u shpreh se çdo hap i ndërmarrë nga SHBA për Groenlandën do të rriste sigurinë e NATO-s dhe nuk përbën kërcënim për Aleancën. “Kjo do ta bënte NATO-n më të sigurt, jo më të dobët,” deklaroi ai, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara janë trajtuar padrejtësisht nga NATO.
Sipas tij, SHBA jep shumë më tepër sesa merr nga Aleanca. “Kam qenë kritik i NATO-s për shumë vite, por kam bërë më shumë se çdo president tjetër për NATO-n. NATO nuk do të ekzistonte sot po të mos isha përfshirë në mandatin tim të parë,” u shpreh Trump.
Ai solli si shembull luftën në Ukrainë, të cilën e cilësoi si një konflikt që nuk do të duhej të kishte nisur. Trump përsëriti pretendimin se lufta nuk do të kishte ndodhur nëse, sipas tij, zgjedhjet në SHBA nuk do të ishin manipuluara. “Kjo luftë nuk do të kishte nisur. Njerëz do të ndiqen penalisht për atë që kanë bërë,” deklaroi ai.
Presidenti amerikan theksoi se SHBA ka trashëguar një situatë të rëndë, me inflacion të lartë, kufij jashtë kontrollit dhe konfliktin në Ukrainë. Ai kritikoi ashpër administratën Biden për ndihmën prej miliarda dollarësh për Ukrainën, duke ngritur pyetjen se çfarë përfiton SHBA nga këto luftëra, përveç humbjeve njerëzore dhe financiare.
Trump deklaroi se Europa dhe NATO duhet të mbajnë më shumë përgjegjësi për Ukrainën, duke theksuar se SHBA ndodhet gjeografikisht shumë larg. Ai kujtoi se gjatë mandatit të tij vendet anëtare të NATO-s filluan të paguajnë më shumë për mbrojtjen e përbashkët. “Disa vende nuk paguanin fare. Ne paguanim për 100% të NATO-s dhe unë e ndalova këtë. Më pas i detyrova të paguajnë më shumë,” tha ai.
Duke folur për fuqinë ushtarake amerikane, Trump theksoi se SHBA ka ndërtuar një ushtri shumë të fortë, me një buxhet që arrin në 1.5 trilionë dollarë, dhe se po rikthehen anije luftarake shumë më të fuqishme se ato të Luftës së Dytë Botërore.
Në lidhje me Groenlandën, Trump tha se SHBA ka nevojë për pronësinë e saj për arsye sigurie, “ligjërisht dhe psikologjikisht”. Sipas tij, në rast konflikti të madh global, një betejë kyçe do të zhvillohej pikërisht aty. Ai deklaroi se në Groenlandë synohet ndërtimi i një sistemi mbrojtës të tipit “Golden Dome”, më i madhi ndonjëherë, që do të mbrojë jo vetëm SHBA-në, por edhe Kanadanë.
Trump kritikoi gjithashtu Kanadanë, duke thënë se përfiton shumë nga SHBA dhe duhet të tregojë më shumë mirënjohje. Ai u ndal edhe te Izraeli, duke deklaruar se sistemi “Iron Dome” është teknologji amerikane dhe se SHBA ka luajtur rol kyç në sigurinë e tij.
Në përfundim, Trump përmendi ndërhyrjet amerikane në Venezuelë, ndalimin e ringritjes së ISIS-it dhe atë që ai e cilësoi si sukses të politikës së jashtme amerikane. “Kemi bërë shumë gjëra të mira, dhe i kemi bërë në mënyrë perfekte,” përfundoi presidenti amerikan.





