“Nuk ka kthim prapa”, ky ishte mesazhi i dhënë nga udhëheqësit evropianë të mbledhur në Bruksel ditën e djeshme.
Dhe ndërsa samiti i emergjencës, i thirrur në përgjigje të kërcënimeve të Donald Trump për të pushtuar Groenlandën, në fund të fundit doli të ishte shumë më pak dramatik pasi presidenti amerikan tërhoqi kërcënimet me tarifa.
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, dy udhëheqësit më të fuqishëm të BE-së, të cilët nuk kanë qenë plotësisht dakord kohët e fundit, u dukën të bashkuar në paralajmërimin se kriza transatlantike e ka shtyrë Bashkimin në një realitet të ri të ashpër, një realitet në të cilin duhet të përqafojë pavarësinë e tij.
“Ne e dimë se duhet të punojmë si një Evropë e pavarur”, i tha presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen gazetarëve në fund të takimit pesë-orësh.
Dhe ndërsa, ndryshe nga samitet e fundit të BE-së, nuk pati zëra të lartë, as debate dhe as vendime për t’u marrë, takimi ua bëri të qartë të gjithëve një gjë, sipas katër diplomatëve evropianë dhe një zyrtari që folën me Politico rreth samitit me dyer të mbyllura. Ishte një mirëkuptim i heshtur se kishte një përçarje fatale midis rendit të vjetër dhe të riut, midis mënyrës se si Perëndimi kishte vepruar që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe asaj që do të vinte.
Edhe pse ndryshimi mendor drejt pavarësisë ishte pjekur prej vitesh, që kur Donald Trump hyri për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017, kërcënimet e tij të paprecedentë ndaj Groenlandës vepruan si një thirrje zgjimi, duke i detyruar udhëheqësit evropianë të ndërmarrin hapa që do të konsideroheshin të paimagjinueshëm edhe disa muaj më parë, thanë të njëjtat burime.
“Ky moment shënon një pikë kthese”, tha një diplomat i BE-së nga një vend i Evropës Lindore me njohuri për diskutimet e udhëheqësve.
“Është terapi shoku. Evropa nuk mund të kthehet siç ishte më parë. Ata e kanë thënë këtë për ditë të tëra”, shtoi ai.
Se si do të duket saktësisht kjo rrugë e re është një çështje për diskutim në të ardhmen. Megjithatë, ditët e fundit ka pasur shenja për drejtimin që mund të marrë.
Përgjigja fillestare e udhëheqësve të BE-së ndaj krizës së Groenlandës përfshirë pezullimin e një marrëveshjeje tregtare BE-SHBA, vendosjen e trupave në Groenlandë dhe kërcënimet për hakmarrje të gjerë tregtare kundër Shteteve të Bashkuara dha një pamje të parë të asaj që mund të pasojë.





