Kryeministri Edi Rama ka theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke nënvizuar se ato mbështeten në një miqësi të thellë historike midis popullit shqiptar dhe atij hebre, të ndërtuar përgjatë shekujve.
Në një deklaratë me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, Rama kujtoi se Shqipëria ka qenë një strehë për hebrenjtë që i iknin persekutimit në Evropë, duke e cilësuar mbrojtjen e tyre gjatë Holokaustit si një trashëgimi unike historike dhe një dëshmi të kurajës morale të brezave të mëparshëm.
“Dua ta theksoj dhe një herë se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët në miqësinë e thellë midis popujve shqiptar dhe hebre, farkëtuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i iknin persekutimit në perëndim erdhën e u vendosën në brigjet tona. Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë, e për mua, për ne, është dëshmia e kurajës morale të gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta trashëguar brez pas brezi. Qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi të çmuar nga historia dhe mban një qëndrim të vendosur, të qartë e të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht” tha Rama.
Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare është plotësisht e përkushtuar për të kremtuar këtë pjesë të rëndësishme të historisë dhe mban një qëndrim të qartë dhe të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
“Edhe pse popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, u bashkua me solidaritetin në mbarë botën, me vuajtjen e popullit të thjeshtë palestinez, gjatë luftës në Gaza, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit, e as projektuan zemëratën e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë. Kjo përbën një kontrast shumë të theksuar me atë çka për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shndërrua në një prani thellësisht trazuese. Vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë. Ne qartësisht refuzojmë të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqë mendimin, veprimet apo marrëdhëniet tona me popuj e vende të tjera”, theksoi kryeministri.





