Deputeti i partisë Mundësia, Erald Kapri theksoi se maxhoranca duhet të vendosë në dispozicion të deputetëve dosjen që ka dërguar SPAK në Kuvend për Belinda Ballukun, bashkëngjitur kërkesës për heqjen e imunitetit të zëvendës kryeministres, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera.
Kapri theksoi se dosja duhet të jetë transparente për të gjithë deputetët, ndërsa shtoi se kanë bërë kërkesë se janë të gatshëm të nënshkruajnë edhe për mbrojtjen e sekretit hetimor.
Ai kërkoi detaje edhe për mbledhjen e Këshillit të Mandateve, që pritet të mblidhet nesër për të shqyrtuar imunitetin e Zëvendës kryeministres së pandehur, pas disa javësh nga mbledhja e parë.
Deputeti kërkoi gjithashtu që të tërhiqet nga rendi i ditës në Kuvend edhe ndryshimet në Kodin Penal, pasi tha se është një temë sensitive që kërkon debat të gjerë. Ai akuzoi se qeveria, me këto ndryshime, kërkon që të intimidojë gazetarët dhe t’i procedojë.
“Parlamenti është kthyer në zyrë noterie, se kuptoj se cili është kriteri që disa duhen hequr e disa jo. Kemi një projektligj për ndryshimet në kodin penal, ku kjo qeveri kërkon të regjistrojë gazetarët, kemi kundërshtimin e KE, dhe gazetarëve që thonë se ky ligj është i pazbatueshëm. Unë nuk pres që qeveria të dijë se kush është gazetar dhe kush jo. Do të kërkoja që të tërhiqet nga seanca e sotme, meriton një debat më të gjerë. Të respektojmë procedurën edhe në bashkëpunim me KE.
Nuk mund të kalojmë kaq lehtë se ka interes qeveria që disa gazetarë nesër t’i procedojë dhe intimidojë. Nesër kemi kërkuar mbledhjen e këshillit të mandateve por pa transparencë se çfarë do të bëhet nesër. Çfarë parashikoni të bëni nesër. A keni afat se kur do të procedoni me heqjen e imunitetit të zonjës Balluku. Na bëni transparencë dosjen që ka sjellë prokuroria, kemi bërë kërkesë për atë dosje. Jemi gati të nënshkruajmë për sekretin hetimor të asaj dosje. Mos e mbani fshehur. Mos u fshihni pas procedurave.”, theksoi Kapri.





