Autoritetet kolumbiane kanë gjetur avionin Beechcraft 1900 të kompanisë shtetërore Satena, i cili ishte zhdukur gjatë fluturimit rajonal mes qyteteve Cúcuta dhe Ocaña. Lajmi është konfirmuar nga Aviacioni Civil i Kolumbisë, i cili bëri të ditur se të 15 personat që ndodheshin në bord kanë humbur jetën.
Mes viktimave raportohet se ndodheshin edhe një deputet dhe një gjyqtar. Avioni kishte ngritur fluturimin në orën 11:42 dhe pritej të ulej pak pas mesditës, ndërsa kontakti i fundit me kontrollin ajror është regjistruar në orën 11:54. Shkaqet e aksidentit ajror janë ende nën hetim.
Në një deklaratë zyrtare, qeveria kolumbiane shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave.
“Në emër të shtetit, shprehim keqardhjen tonë të thellë dhe solidaritetin me familjet e përfshira në këtë aksident të rëndë ajror, pasojat e të cilit janë ende duke u verifikuar”, deklaroi për mediat ministrja e Transporteve e Kolumbisë, Maria Fernanda Rojas.





