Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Xavier Bettel, është shfaqur i irrituar nga thirrjet e përsëritura të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, duke vendosur praktikisht “frenë” në procesin e integrimit.
“Sapo dëgjova se presidenti Zelensky tha se Ukraina duhet të bëhet anëtare që nga viti i ardhshëm. Më vjen keq. Ia kam thënë shumë herë: mos vendos ultimatume. Kjo nuk është në interesin tënd,” deklaroi Bettel.
Kreu i diplomacisë luksemburgase theksoi se duhet të respektohen kriteret e Kopenhagës, të cilat vlejnë njësoj për të gjitha vendet kandidate.
“Ka rregulla, kriteret e Kopenhagës, dhe ato duhet të përmbushen. Nuk mund të themi se ka kritere për njërin dhe jo për tjetrin,” tha ai, duke shtuar se për sa kohë këto kritere nuk plotësohen, anëtarësimi nuk mund të përshpejtohet artificialisht.
“Nuk mund të themi: ‘Ju lutemi, hyni në familje dhe për ju do t’i mbyllim sytë, veshët dhe gojën’. Jo. Kemi rregulla dhe duhet t’i respektojmë,” përfundoi Bettel.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur Kievi po shton presionin diplomatik ndaj Brukselit për të përshpejtuar rrugën e Ukrainës drejt Bashkimit Evropian, në kushtet e luftës së vazhdueshme me Rusinë.





