Kryekomisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, zhvilloi dje një seminar me organizatën “Qëndresa Qytetare”, ku u diskutua për përmirësimin e mekanizmave të monitorimit të fushatave zgjedhore dhe forcimin e procesit të hetimit administrativ.

Në aktivitet morën pjesë anëtarë të organeve drejtuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si edhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e zgjedhjeve. Takimi shërbeu si një hapësirë e strukturuar për diskutim, analizë dhe shkëmbim përvojash mbi problematikat e hasura në proceset zgjedhore të mëparshme.

Sipas Celibashit, fokusi i seminarit ishte identifikimi i vështirësive të konstatuara gjatë zgjedhjeve të kaluara, si dhe paraqitja e propozimeve konkrete për përmirësimin e monitorimit të fushatave dhe rritjen e efektivitetit të hetimit administrativ.

Gjatë diskutimeve u trajtuan çështje të rëndësishme, si rekrutimi, trajnimi dhe certifikimi i monitoruesve të KQZ-së, metodologjia e ndjekur për monitorimin e fushatave zgjedhore, krijimi i një sistemi të aksesueshëm për gjurmueshmërinë e ankesave, rregullat e sjelljes gjatë periudhës zgjedhore, si dhe masat për parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike.

Kreu i KQZ theksoi se forcimi i këtyre mekanizmave synon ta bëjë procesin zgjedhor më transparent, më efektiv dhe me karakter parandalues, duke rritur besueshmërinë dhe integritetin e zgjedhjeve.

Ai shtoi se sugjerimet dhe rekomandimet e paraqitura nga “Qëndresa Qytetare” dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile do të merren në konsideratë gjatë rishikimit të kuadrit ligjor për zgjedhjet e ardhshme.