Ka shkuar në 64 numri i të vdekurve në Kosovë nga COVID-19. Gjashtë viktima është njoftuar se kanë vdekur në 24 orët e fundit. 6 të vdekurit e fundit kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Lajmi është konfirmuar nga një njoftim i Ministrisë së Shëndetësisë.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës, përkatësisht klinikat e saj ku po trajtohen pacientët e prekur nga Covid-19 kanë njoftuar se gjatë ditës së sotme, 4 korrik 2020, deri në ra 17:00 kanë përfunduar me vdekje 6 pacientë të infektuar me COVID-19: Në Klinikën Infektive 1 pacient, në Klinikën e Pulmologjisë 2 pacientë dhe në Mjekësinë Sportive 3 pacientë.  Pacientët që kanë përfunduar me vdekje janë: Sh.I. (1949) -Prishtinë; F.H (1948) -Viti,  R.K (1950)-Mitrovicë, B. G (1960)-Vushtrri, S. T. (1949) – Fushë Kosovë dhe V. SH. (1982)- Pejë. Sipas informacioneve nga klinikat, pacientët që kanë ndërruar jetë sot, përveç infeksionit Covid-19, kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Deri tani në Kosovë janë prekur me koronavirus 3 mijë e 178 persona, janë shëruar 1 mijë e 824. Në gjithë botën janë prekur mbi 11 milionë me virusin me koronë, janë shëruar 5.9 milionë, ndërsa kanë vdekur mbi 520 mijë pacientë.