Presidenti amerikan Donald Trump, i ka kërkuar homologut rus Vladimir Putin, që të përmbahet nga sulmet ndaj Kievit deri më 1 shkurt, “me qëllim që të krijojë kushte të favorshme për negociata”.

Këtë pohim e bëri sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Në të vërtetë, Presidenti Trump i kërkoi personalisht Presidentit Putin të përmbahet nga sulmet ndaj Kievit për një javë, deri më 1 shkurt, me qëllim që të krijojë kushte të favorshme për negociata”, vuri në dukje ai.

Peskov nuk iu përgjigj pyetjes për qëndrimin e Moskës ndaj kërkesës së presidentit amerikan.

“Nuk kam asgjë për të shtuar në atë që është thënë tashmë”, tha ai.

Në një deklaratë të mëparshme, Donald Trump kishte thënë se i kishte kërkuar personalisht Vladimir Putinit që forcat e armatosura ruse të ndalonin sulmet e tyre në Kiev dhe qytete të tjera ukrainase për një javë, duke përmendur temperaturat jashtëzakonisht të ulëta që mbizotëronin atje.

Sipas tij, presidenti rus “pranoi ta bënte këtë”.