Pekini futet në karantinë. Pas një periudhe gati dy mujore me një numër minimal të infektuarish, Kina, atje ku edhe nisi përhapja koronavirusit, është sërish në alarm.

Gentian Qejvanaj prej 8 vitesh jeton në Kinë, dhe është mësues i gjuhës angleze, tregon se ushtria ka zbarkuar në Pekin për të kontrolluar situatën. Ai shprehet se të infektuarit janë rritur edhe jashtë Pekinit, ndërkohë që shifrat e sakta nuk dihen.

Qytetarët mund të dalin nga kryeqyteti kinez vetëm nëse nuk janë të infektuar me Covid-19. Ndërkohë që në një intervistë për Klan Plus, Gentian Qejvanaj shprehet se nga raportimet e autoriteteve kineze, rezulton se virusi është bërë më i fuqishëm.

“Ka pësuar mutacion. Tani më nuk bëhet karantinë 14-ditore, por 28-ditore”.

Në Pekin të gjitha shkollat dhe universitet janë të mbyllura. Maska është detyrim në çdo ambient. Ndërkohë që aktualisht asnjë i huaj nuk lejohet të hyjë. Pritet hapja e kufijve në mesin e këtij muaji vetëm për vendet e Bashkimit Europian dhe anasjelltas, shtetasit kinez do lejohen të hyjnë në këto vende.