Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka reaguar për vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për rritjen e masave mbrojtëse për ish-kreun e SPAK, Altin Dumanin dhe disa prokurorë të posaçëm.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Këlliçi shprehet se vendimi për shtimin e masave të sigurisë për prokurorët e SPAK pas një fushate sulmesh nga kryeministri Edi Rama, tregon se tani është kaluar në ato që ai i quan “metoda mafioze”.

Deputeti shprehet ndër të tjera se kur prokurorët hetuan drejtuesit e opozitës në vend, nuk patën asnjë shqetësim me sigurinë e tyre.

Sipas tij, kërcënimet ndaj prokurorëve nisën me hetimet ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.

REAGIMI I KËLLIÇIT

Nga kërcënimet publike ndaj SPAK, Rama tani ka kaluar në akte mafioze!

Vendimi për shtimin e masave të sigurisë për prokurorët e SPAK pas një fushate sulmesh që ka ndërmarrë Edi Rama ndaj tyre, tregon edhe një herë se organizata më e madhe kriminale në vend, ajo e rilindjes, po vepron tashmë me metodat e saj mafioze.

Sa kohë që këta prokurorë hetuan dhe ndoqën penalisht (madje politikisht) drejtuesit e opozitës në vend, nuk patën asnjë shqetësim me sigurinë e tyre.

Problemet nisën kur u morën me korrupsionin galopant dhe lidhjet e qeverisë me krimin.

Kërcënimet nisën me Veliajn dhe po kulmojnë sot që është shpallur e pandehur Belinda Balluku dhe hetimet tanimë përfshijnë dhe Edi Ramën.

Kryeministri po bën gjithçka për të penguar drejtësinë dhe po mbron aferat e tij, duke refuzuar kërkesat e SPAK. Por nga ana tjetër, siç konfirmohet sot me vendimin që ka marrë KLP, ai ka shkuar dhe në kanosje mafioze.

Shtimi i masave të sigurisë për prokurorët, e në veçanti për Prokurorin Dritan Prençi që ka dosjen Balluku, është një kambanë alarmi për situatën e rëndë ku ndodhet vendi.

Çdo shqiptar e di sot se prokurorët e SPAK dhe ata të Ballukut, të aferave të tunelit, e të tenderave qindra mlionë euroshe, janë të kërcënuar nga Edi Rama.

Eshtë një moment vendimtar për Shqipërinë.

Dhe vetëm qytetarët e kanë në dorë zgjidhjen.

Me 10 shkurt është dita për ta treguar këtë.

Bashkimi ynë në shesh, qendresa jonë, është fundi i tij.