Gazetarja e njohur, Rezarta Reçi, ka ndërruar jetë këtë të diel.
Prej vitesh Reçi ishte në luftë me një sëmundje të rëndë.

Në një postim në rrjetet sociale, familjarët e saj shkruajnë:
“Rrezarta jonë u shua në paqe mes njerëzve të zemrës, dashurisë, respektit dhe përkushtimit të miqve, të afërmve dhe mjekëve që i qëndruan pranë në të gjithë sfidën e saj të viteve të fundit.

Pritja do të bëhet pranë Agjencisë Funerale “Univers”, rruga “Bardhyl”, nga sonte ora 20:30 deri në përcjelljen për në banesën e fundit, nesër, më datë 2 Shkurt 2026, ora 15:00, Tiranë.

Me respekt, familja Reçi”.

Rezarta Reci njihej gjerësisht si ideatorja dhe moderatorja e emisionit “Arratia e peshkut të kuq” në News24, një program që për vite me radhë u kthye në një hapësirë reflektimi, dialogu dhe rrëfimi të thellë njerëzor.

Më herët ajo realizonte emisionin “Mesditë me ju” në Teuta Televizion, në Durrës.

Rezarta Reçi e nisi karrierën e saj në media me emisionet në radio, për të kaluar më pas tek emisionet në mediat vizive.

Përveç kontributit të saj si gazetare dhe moderatore, Reci ishte edhe autore e disa librave, ku përfshinte intervista, rrëfime personale dhe përjetime që pasqyronin eksperiencat e saj jetësore dhe profesionale.

Në mars të vitit 2017, moderatorja Reçi është nderuar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani me titullin “Naim Frashëri”.

“Në vlerësim të kontributit dhe rolit të çmuar si hulumtuese, evidentuese dhe përcjellëse e vlerave unike të figurave të shquara të artit, kulturës, sportit e mjekësisë, duke mundësuar pasqyrimin dhe njohjen publike të evoluimit dhe emancipimit intelektual të shoqërisë shqiptare ndër dekada”, thuhej në çmimin akorduar gazetares.