Kënga “Golden”, nga filmi i animuar “K-Pop Demon Hunters”, është bërë kënga e parë e zhanerit K-Pop që fiton një çmim Grammy, duke hyrë në histori të muzikës botërore.

E interpretuar nga grupi imagjinar Huntr/x, “Golden” u shpall kënga më e mirë vizuale, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve që u zhvillua në Los Angeles. Kënga është gjithashtu e nominuar për çmimin “Kënga e Vitit”.

Suksesi i saj lidhet edhe me popullaritetin e jashtëzakonshëm të filmit “K-Pop Demon Hunters”, i cili u bë filmi më i shikuar i të gjitha kohërave në Netflix, me mbi 480 milionë shikime që nga publikimi në qershor të vitit të kaluar.

Kolona zanore e filmit kryesoi gjithashtu listat e Billboard, duke konfirmuar ndikimin gjithnjë e më të madh kulturor dhe komercial të muzikës pop koreane në tregun global.

Në ceremoninë e Grammy-ve u ndanë shumica e çmimeve para eventit kryesor. Mes fituesve ishin artistë si Yungblud, The Cure dhe FKA Twigs, ndërsa një moment i veçantë ishte shpallja e 8-vjeçares Aura V si fituesja më e re e një çmimi Grammy, për albumin më të mirë për fëmijë.

Ndërkohë, reperi Kendrick Lamar fitoi tre çmime, duke vijuar dominimin e tij në Grammy, ndërsa artistë të njohur përdorën skenën për mesazhe sociale dhe politike.

Fitorja e “Golden” shihet si një moment historik për K-Pop-in, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt njohjes së plotë të këtij zhaneri në industrinë muzikore botërore.