Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar ndaj raportimeve që përfshijnë emrin e saj në dosjen “Epstein”, duke i cilësuar ato si tërësisht të pavërteta.

Në një postim në Facebook, Jahjaga shpjegon se gjatë kohës sa mbante detyrën nuk ka pasur kurrë njohje, takim apo kontakt me Epstein. Përmendja e emrit të saj në disa media, sipas saj, lidhet vetëm me një e-mail mes palëve të treta dhe nuk dëshmon lidhje personale.

Ish-presidentja sqaron gjithashtu se termi “Presidenti i Kosovës” në këtë korrespondencë nuk i referohet asaj personalisht dhe nuk përbën kërkesë për takim.

Raportimet mediatike për “lidhjen time” me dosjen “Epstein” janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë.

Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar.

Në këtë email te palëve të treta përmendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk përmendet kërkesa për takim në emër të tij apo të saj.

Çdo raportim ndryshe është insinuate dhe mashtrim i opinionit, siç mund te vërehet lehtë nga dokumentet.

Kërkoj që ky sqarim të jepet në mediat të cilat e kanë lakuar emrin tim, sidomos meqenëse as nuk e kam njohur, as takuar dhe as nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozitë që kam mbajtur deri më tani”, shkruan ajo në Facebook.