Një hetim i vazhdueshëm ka identifikuar 890 llogari në bankën zvicerane ‘Credit Suisse’, me lidhje të mundshme me regjimin nazist, tha senatori amerikan Chuck Grassley, përpara një seance dëgjimore të Komitetit Gjyqësor të Senatit, mbi rolin e bankave në lehtësimin e Holokaustit, raporton Reuters.

Grassley, i cili kryeson komitetin, tha se llogaritë përfshijnë llogari të epokës së Luftës së Dytë Botërore të pazbuluara më parë, të lidhura me Ministrinë e Jashtme gjermane, një prodhues gjerman armësh dhe Kryqin e Kuq gjerman.

Ai tha se e ka ndjekur hetimin e Credit Suisse për vite me radhë.

UBS, e cila bleu Credit Suisse në një ofertë blerjeje në vitin 2023, tha vitin e kaluar se po punonte me ish-prokurorin federal amerikan Neil Barofsky, për të hedhur dritë mbi llogaritë me lidhje naziste të mbajtura te ish-rivali i saj.

Në një deklaratë të lëshuar paraprakisht për Komitetin Gjyqësor të Senatit, UBS tha se si ajo ashtu edhe Credit Suisse kishin kërkuar falje dhe kishin arritur një zgjidhje globale në vitin 1999, e cila, sipas saj, siguroi një zgjidhje përfundimtare të pretendimeve dhe mbylli mosmarrëveshjen e atëhershme. Banka e përshkroi hetimin e sotëm si një iniciativë vullnetare.

Grassley u tha gazetarëve se kishte marrë dy raporte dhe një përditësim mbi progresin e hetimit të Barofsky-t.

Rishikimi zbuloi se marrëdhënia bankare e Credit Suisse me SS, organizatën paraushtarake naziste, ishte më e gjerë nga sa dihej më parë. Sipas të dhënave, krahu financiar i SS mbante një llogari në bankë. Në të njëjtën kohë, u raportua se kishin dalë prova të reja në lidhje me një skemë që dyshohet se i ndihmoi nazistët të iknin në Argjentinë.

UBS tha se e njeh dhe shpreh keqardhje të thellë që periudha e Luftës së Dytë Botërore ishte një faqe e errët në historinë e bankave zvicerane.

“Ne i qasemi çështjes së sotme me respekt të thellë”, tha Presidenti i UBS Americas, Robert Karofsky, sipas dokumentit të dorëzuar.

Ai vuri në dukje se me blerjen e Credit Suisse, UBS ishte plotësisht e angazhuar për ta rikthyer hetimin në rrugën e duhur dhe që atëherë ka ndërmarrë hapa të gjerë për të lehtësuar hetimin e Barofsky-t.

“Tani, me tre vjet përvojë, përparësia jonë është të përfundojmë këtë hetim në mënyrë që publiku të mund të nxjerrë përfundime dhe informacione të dobishme nga gjetjet e raportit përfundimtar”, shtoi ai.

Sipas ndihmësve të Komitetit Gjyqësor të Senatit, hetimi pritet të përfundojë deri në fillim të verës, ndërsa raporti përfundimtar pritet të publikohet deri në fund të vitit.