Mediat palestineze raportuan të paktën nëntë viktima gjatë sulmeve ajrore dhe me artileri të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës gjatë natës, përfshirë gjashtë viktima në Gazën Veriore.
Sipas raportimeve, ushtria izraelite tha se sulmoi në përgjigje të personave të armatosur që sulmuan trupat izraelitë.
Tre nga viktimat u vranë në bombardimet me artileri në lagjen Tuffah, në lindje të qytetit të Gazës, ndërsa dy të mitur ishin ndër viktimat e para. Një foshnjë pesëmuajshe ishte gjithashtu midis të vdekurve, pas një sulmi të njëjtë në lagjen Zeitoun të qytetit të Gazës. Sipas mediave palestineze, tre viktima të tjera u raportuan nga Khan Younis, në jug të Gazës, duke e çuar bilancin e viktimave në të paktën nëntë persona.
Një oficer i Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) u plagos rëndë gjatë natës. Ushtria izraelite konfirmoi se një rezervist ishte goditur nga të shtënat me armë zjarri nga persona të armatosur palestinezë në Gazën veriore, gjatë një operacioni të zhvilluar pranë Vijës së Verdhë, një kufi që ndan zonat izraelite nga ato të kontrolluara nga Hamas.
Në përgjigje të sulmeve, ushtria izraelite përdori tanket dhe avionët luftarakë për të sulmuar pozitat e personave të armatosur dhe për të zhvilluar sulme ajrore mbi Hamassin. Sipas Times of Israel, IDF ka paralajmëruar për sulme të tjera në vazhdim, duke e cilësuar incidentin si një “shkelje flagrante” të armëpushimit që kishte hyrë në fuqi në tetor të vitit të kaluar.
Përpjekjet për të mbajtur armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit kanë vazhduar të sfidohen nga tensionet dhe sulme të njëpasnjëshme të dy palëve, që kanë çuar në një përshkallëzim të dhunës. Ushtria izraelite ka premtuar vazhdimin e operacioneve kundër Hamasit, duke përmendur rrezikun e sulmeve të mundshme nga grupet militante palestineze.





