Kreu i selisë blu u pyet gjatë konferencës së sotme nga gazetarët edhe për protestën kombëtare të 10 shkurtit nga opozita, në bulevardin para kryeministrisë në Tiranë.

Ai u shpreh se opozita do dëgjojë kërkesën dhe zërin e qytetarëve dhe do i përgjigjet duke zënë sheshin, pas skandaleve të fundit qeveritare, kryesisht dosjet e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe AKSHI-t.

Teksa nënvizoi se edhe Gjykata Kushtetuese po përdoret për “t’i pirë gjakun shqiptarëve”, e komanduar nga kryeministri Edi Rama, e vetmja rrugë për qytetarët ka mbetur sheshi sipas tij, deri në rrëzimin e armikut të egër.

“Gjithnjë e më i madh është numri i qytetarëve që kërkojnë një gjë të tillë. Unë i siguroj ata se kërkesën e tyre e konsideroj shumë të drejtë dhe se ajo në rastin më të parë të mundshëm do të zbatohet. Pra, ata janë qytetarë të përgjegjshëm, që duan të përballen me këtë shtet të degraduar, të degjeneruar në shkallë ekstreme. Po si mundet një gjykatës Kushtetues të mos ndjenjë përgjegjësinë ligjore. Të mos ndjejë përgjegjësi para qytetarëve, por të bëhet strofulla e fundit e hajdutit të tij”, tha ai.

Dhe duke ngritur shqetësimin për situatën e aktualitetit, politikës dhe faktorëve socialë-ekonomike, ai nënvizoi se:

“Vetëm fjala e qytetarëve ka ngelë këtu dhe unë kam bindje se këtë betejë qytetarët do ta fitojnë. Nuk janë të paktë ata që po shkelmojnë mbi dinjitetin e tyre, ata që si shushunja po u thithin gjakun çdo ditë. Por prapë guximi qytetar, ndershmëria dhe morali qytetar është qindra herë më i fuqishëm se ata.  Kështu që e kam deklaruar dhe e deklaroj, tani kemi një objektiv, largimin e këtij armiku të egër të qenies së shqiptarëve”, tha Berisha.