Njësia Ushtarake e Emergjencave dhe forcat e policisë janë në terren prej ditësh në zonat e përmbytura të jugut të Spanjës, duke shpëtuar banorë dhe kafshë të bllokuara nga uji.
Situata paraqitet kritike në rajonin e Andaluzisë, për shkak të reshjeve të pandërprera dhe tokës së tejngopur nga stuhitë e mëparshme.
Autoritetet kanë paralajmëruar për një përkeqësim të mëtejshëm të gjendjes, rrëshqitje dheu dhe dëmtime serioze të infrastrukturës dhe pronës private.
Rreth 4 mijë banorë janë evakuuar nga zonat më të rrezikuara, ndërsa autoritetet kanë vendosur pezullimin e mësimit në të gjithë rajonin. Gjithashtu, është bërë thirrje për të shmangur lëvizjet e panevojshme.
Në terren janë angazhuar 1,200 punonjës të emergjencës dhe 400 efektivë ushtarakë. Avionë dhe helikopterë monitorojnë zonat kritike nga ajri.
Stuhia “Leo” vjen vetëm një javë pas stuhisë “Kristin”, e cila la pas 6 viktima dhe mijëra familje pa energji elektrike.





