Një përpjekje për të vrarë një gjeneral të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë ka tronditur Moskën këtë të premte.
Agjencia e lajmeve Tass raporton se fjala është për gjeneralin Vladimir Alekseev. Sipas autoriteteve ruse, ai është qëlluar disa herë nga një person ende i paidentifikuar dhe ndodhet aktualisht në spital. Komiteti Hetimor i Rusisë ka nisur një hetim penal për “tentativë vrasjeje” dhe “tregti të paligjshme të armëve”, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe po intervistojnë dëshmitarë për të identifikuar autorin ose autorët e ngjarjes.
Ngjarja ka ndodhur në një ndërtesë banimi në Autostradën Volokolamskoe në pjesën veriperëndimore të Moskës. Ekspertët forenzikë dhe hetuesit e Komitetit Hetimor po kryejnë operacione të thelluara hetimore për të zbuluar rrethanat dhe motivet e atentatit.
Zëdhënësja e Komitetit Hetimor, Svetlana Petrenko, tha se hetimet vazhdojnë dhe autoritetet po punojnë intensivisht për të parandaluar çdo rrezik të mëtejshëm për sigurinë kombëtare.





