Donald Trump shprehu të premten mbështetjen e tij për Viktor Orbánin, i cili përballet me sfidën më serioze ndaj pushtetit të tij në Hungari në më shumë se një dekadë, përpara zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për në prill.

“Viktor Orbán është një mik i vërtetë, luftëtar dhe fitues, dhe ka mbështetjen time të plotë dhe absolute për rizgjedhjen e tij si kryeministër i Hungarisë”, shkroi Trump në një postim në platformën Truth Social.

Sipas Trump, marrëdhëniet mes Budapestit dhe Uashingtonit kanë arritur “nivele të reja bashkëpunimi dhe arritje mbresëlënëse” nën drejtimin e dy liderëve.

Mbështetja e Trump ndaj Orbánit përputhet me Strategjinë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-së, e prezantuar në dhjetor, në të cilën administrata Trump ishte zotuar të forconte “partitë patriotike evropiane”.

Orbáni është një aleat i ngushtë i Trump dhe ishte ndër liderët e parë evropianë që mbështeti kandidaturën e tij për president në vitin 2016. Partia nacionaliste Fidesz e Orbánit është kthyer në një model për populistët e lëvizjes MAGA, veçanërisht për qëndrimin e saj të ashpër ndaj të drejtave të pakicave dhe emigracionit.

Një shembull i marrëdhënies së ngushtë mes tyre është dakordësia e Trump me kryeministrin hungarez lidhur me vendimin e Budapestit për të vazhduar blerjen e naftës ruse, edhe në një kohë kur Evropa përpiqej të ulte varësinë nga furnizimet energjetike të Moskës. Si rezultat, Shtëpia e Bardhë i dha Hungarisë një përjashtim njëvjeçar nga sanksionet amerikane për blerjen e naftës ruse.

Zgjedhjet parlamentare në Hungari, që do të mbahen më 12 prill, mund të vënë në pikëpyetje pushtetin afatgjatë të Orbánit, mes kritikave të vazhdueshme për minimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Përballë tij është ish-aleati i kthyer në kundërshtar, Péter Magyar, i cili udhëheq partinë opozitare Tisza dhe kryeson sondazhet me një avantazh prej 12 pikësh.

Zgjedhjet në Hungari, një vend me 9.6 milionë banorë, konsiderohen më të rëndësishmet në Evropë këtë vit. Orbáni është shndërruar në një faktor kyç përçarës brenda Bashkimit Evropian, duke u përplasur shpesh me Brukselin dhe kryeqytete të tjera evropiane për çështje si mbështetja për Ukrainën, të drejtat e komunitetit LGBTQ+ dhe sanksionet ndaj Rusisë.