Modelja ndërkombëtare e pasarelave, Cristina Pérez Galcenco, ka ndërruar jetë në moshën 21-vjeçare, sipas raportimeve të mediave lokale spanjolle. Lajmi është konfirmuar nga disa media prestigjioze, përfshirë El País, El Mundo dhe ABC.
Pérez Galcenco, vajza e ish-futbollistit profesionist spanjoll Nacho Pérez dhe Tatiana Galcenco, u gjet e pajetë në banesën e saj në provincën e Málagës, të martën më 3 shkurt. Sipas raportimeve, ajo ishte zhvendosur së fundmi në Caleta de Vélez për të ndjekur një kurs profesional.
Burime pranë familjes kanë bërë të ditur se vdekja dyshohet të ketë ardhur për shkaqe natyrore dhe se në vendngjarje nuk janë konstatuar shenja dhune.
Gjatë viteve të fundit, Cristina kishte ndërtuar një karrierë të suksesshme në botën e modës, duke ecur në pasarelat më të njohura në Madrid, Milano, Paris, Londër dhe Kinë. Ajo e nisi karrierën e saj shumë herët, vetëm 14 vjeçe, gjatë “Campoamor Fashion Show”, i cili organizohet çdo vit në teatrin Campoamor në qytetin e Oviedos.
Modelja ka marrë pjesë gjithashtu në evente të rëndësishme si Mercedes-Benz Fashion Week Madrid, si dhe në Javët e Modës në Paris dhe Milano. Organizatorët e Campoamor Fashion Show i kanë bërë një homazh prekës në rrjetet sociale, duke publikuar një foto dhe video të saj, të shoqëruara me simbolin e pëllumbit të bardhë.
Trupi i pajetë i Cristinës do të vendoset për homazhe më 6 shkurt në shtëpinë mortore Puente Nora në Lugones, Asturias, ndërsa ceremonia mortore do të zhvillohet të shtunën, më 7 shkurt. Figura të njohura të modës, përfshirë parukierin e njohur Manuel Mon, kanë shprehur dhimbjen dhe respektin e tyre për humbjen e saj.





