Romeo Beckham bëri një tatuazh të ri kushtuar familjes së tij, vetëm pak ditë pasi vëllai i tij, Brooklyn, duket se ka mbuluar tatuazhin që kishte bërë për të atin, ndërsa thuhet se ka hequr edhe ato që kishte dedikuar për vëllezërit e motrën e tij.

Të dielën, më 8 shkurt, 23-vjeçari publikoi një “story” në llogarinë e tij personale në Instagram, ku shfaqte tatuazhin e ri.

Bëhet fjalë për një foto bardhezi, në të cilën shihet fjala “family” (familje), e vizatuar në pjesën e pasme të qafës. Studioja në Londër ku Romeo zgjodhi të realizojë tatuazhin publikoi gjithashtu disa fotografi nga procesi.

Tatuazhi i Romeos erdhi pak pasi u shfaqën shenja se Brooklyn Beckham kishte mbuluar tatuazhet që i kishte dedikuar vëllezërve dhe motrës së tij. 26-vjeçari kishte më parë të gdhendur në gisht emrat Romeo, Cruz dhe Harper, por më herët këtë muaj dizajni u pa i mbuluar me një motiv tjetër.

Paralelisht, Brooklyn dyshohet se ka ndryshuar edhe tatuazhin kushtuar babait të tij, David Beckham. Në dorën e djathtë ai kishte fillimisht fjalën “dad” (babi), e cila tashmë është zëvendësuar me një yll deti dhe dy jelekë shpëtimi.

Një burim për Daily Mail deklaroi se Brooklyn i është nënshtruar trajtimeve me lazer për të modifikuar këto tatuazhe. Këto ndryshime erdhën pas një deklarate të ashpër të tij, ku ai shprehej se “nuk dëshiron të pajtohet me familjen”.

Muajin e kaluar, Brooklyn akuzoi prindërit e tij, David dhe Victoria Beckham, se kanë tentuar të minojnë marrëdhënien e tij me bashkëshorten, Nicola Peltz.

Ai pretendoi gjithashtu se ka parë sesi prindërit e tij “kontrollojnë narrativën në media për familjen, përmes postimeve të qëllimshme në rrjetet sociale, eventeve familjare dhe marrëdhënieve jo autentike”.

Dy prindërit nuk kanë reaguar publikisht ndaj këtyre akuzave, megjithatë sipas raportimeve, ish-anëtarja e Spice Girls, Victoria Beckham, thuhet se ndihet “e tradhtuar”.